Në dhjetëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, babai i tij, Avni Dehari, ka shprehur pakënaqësi të thellë me zvarritjen e hetimeve nga organet e drejtësisë. Pas homazheve pranë varrit të të birit, ai theksoi se kjo periudhë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë dhe e dhimbshme.
Sipas tij, pritja e gjatë për të zbardhur plotësisht rastin paraqet një formë torture jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët dhe mbarë qytetarët e vendit. Ai shtoi se Prokuroria, që nga fillimi, ka lejuar zvarritjen e hetimeve në bashkëpunim me palë të tjera.












