Përfaqësuesja e Shqipërisë do të zhvillojë takimin e fundit në kuadër të Grupit C1 në Ligën C të UEFA Nations League kundër Bjellorusisë në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë.
Dueli i planifikuar për datën 15 nëntor do të cenohet nga mungesa e spektatorëve, pasi do të luhet me dyer të mbyllura. Kjo masë vjen si pasojë e sanksioneve të vendosura nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që datojnë nga 3 mars i vitit 2022. Sipas këtyre rregullave, ekipet kombëtare dhe klubet bjelloruse janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet si vendëse në fusha neutrale dhe pa praninë e publikut.
Për këtë arsye, pavarësisht se ndeshja do të arijë të zhvillohet jashtë kufijve të Bjellorusisë, mbështetësit kuqezi nuk do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë përballje vendimtare për mbylljen e fazës së grupeve.
















