Përbërësit e zakonshëm që gjenden te kremi kundër diellit mund të depërtojnë në qarkullimin e gjakut brenda vetëm një dite nga përdorimi, duke arritur nivele të larta, sipas një hulumtimi të realizuar nga Qendra për Vlerësimin dhe Kërkimet e Medikamenteve, e cila funksionon në kuadër të Administratës së Ushqimit dhe Medikamenteve në Shtetet e Bashkuara.
Hulumtimi, i publikuar në revistën mjekësore JAMA, gjeti se përqendrimi i tre prej këtyre substancave në gjak vazhdon të rritet nëse produkti aplikohet çdo ditë. Madje, kimikatet mbetën të pranishme në organizëm edhe për të paktën një ditë të plotë pasi përdorimi i tyre ishte ndalur.
Katër substancat e analizuara bëjnë pjesë në një grup prej dymbëdhjetë përbërësish që Administrata e Ushqimit dhe Medikamenteve ka kërkuar të hulumtohen nga prodhuesit, para se ato të mund të vlerësohen zyrtarisht si të sigurta dhe efektive për përdorim të gjerë.
Ekspertët e shëndetit theksojnë se nevojiten hulumtime shtesë për të kuptuar më mirë këto gjetje dhe për të sqaruar nëse ekzistojnë rreziqe reale mjekësore nga thithja e këtyre elementeve përmes lëkurës.














