Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar një mobilizim gjithëpërfshirës shtetëror në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rastin e gjashtëvjetorit të nisjes së tyre për në Hagë.
Çitaku e ka cilësuar vendimin e shkallës së parë si thellësisht të padrejtë dhe të papranueshëm, duke shtuar se ky aktgjykim përmban gjithsej 81 vjet burgim. Sipas saj, ky vendim bie ndesh me provat, standardet e një gjykimi të drejtë dhe me të vërtetën historike të luftës çlirimtare.
Ajo ka theksuar se në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër individë, por vetë historia e UÇK-së dhe rruga e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë, e cila, siç ka thënë ajo, nuk ka nisur në sallat e gjyqit në Hagë dhe nuk mund të tjetërsohet nga ndonjë aktgjykim.
Gjithashtu, Çitaku ka bërë thirrje për një angazhim të përbashkët institucional tej vijave partiake për hartimin e një strategjie shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, mbështetjen financiare dhe intensifikimin e diplomacisë.












