Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se ka marrë raporte të reja ADN, përmes të cilave janë identifikuar tre anëtarë të Grupit të Intelektualëve: Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
Erblin Ademi, djali i Dr. Adem Ademit, ka shpallur në Facebook se familja e tij përfundimisht ka marrë lajmin se babai i tyre është identifikuar pas gati tre dekadash kërkimi. Analizat ADN, të kryera në laboratorin e Hagës, kanë konfirmuar identitetin e Dr. Adem Ademit.
Erblin ka shprehur mirënjohje të thellë për institucionet e Republikës së Kosovës, për zyrtarët, hetuesit, ekspertët e mjekësisë ligjore dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces. Ai ka shtuar se Dr. Adem Ademi do të varrohet me nder dhe dinjitet, dhe se data e varrit dhe detajet e tjera do të njoftohen në vazhdim.
















