Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka analizuar gjetjet e Raportit të Progresit, duke vënë theksin te vërejtjet lidhur me gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e pushtetit dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj mediave.
Sipas tij, praktika e sulmeve ndaj gazetarëve ka vazhduar përgjatë gjashtë viteve të fundit. Ai vlerësoi se tashmë është momenti i duhur që përgjegjësia për këtë situatë të adresohet drejtpërdrejt te kryeministri Albin Kurti.
Rexha shtoi se organizata që ai drejton i ka mirëpritur gjetjet kritike të raportit, duke kujtuar se ata vazhdimisht kanë ngritur zërin kundër përdorimit të fjalorit denigrues dhe sulmues ndaj punonjësve të mediave në vend.














