Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat trupin e pajetë të 69-vjeçarit, i cili ishte raportuar i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi të mërkurën në një apartament në Elbasan. Veprimet në terren zgjatën për disa orë gjatë mëngjesit të kësaj të enjteje.
Incidenti i rëndë shkaktoi dëme të mëdha në strukturën e ndërtesës, duke shembur muret e banesës ku ndodhi ngjarja dhe shkallët e pallatit, ndërsa tri kate u bashkuan në një të vetëm. Nga ky shpërthim pati humbur jetën edhe një 82-vjeçare që banonte në afërsi të vendit të ngjarjes, kurse dhjetë persona të tjerë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të asfiksisë dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet bënë të ditur se ndërtesa ka pësuar dëmtime kolosale dhe është shpallur zyrtarisht e pabanueshme. Banorët e prekur janë evakuuar nga strukturat e emergjencës, ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë për vendosjen e tyre në strehime të reja. Hetimet paraprake sugjerojnë se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga një bombol gazi, ndërsa shkaqet e sakta mbeten ende për t’u sqaruar plotësisht.













