GazetaGjilani

Ballina E enjte, 5 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Kronikë

Tragjedia në Itali: Detaje të reja nga vrasja e 39-vjeçares shqiptare nga djali i saj

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Chiari të Brescias në Itali, ku 39-vjeçarja Meleqe Lusha mbeti e vrarë me thikë brenda banesës së saj nga djali, 21-vjeçari Eduart Xhani.

Krimi i rëndë ndodhi dy ditë më parë në shtëpinë ku jetonin në rrugën “Silvio Pellico”. Pasi goditi disa herë të ëmën me mjet prerës, i riu u largua nga vendi i ngjarjes me një veturë. Megjithatë, pas disa orësh arratisjeje, ai shkoi vetë në polici për t’u dorëzuar dhe pranoi autorësinë e krimit.

Sipas hetuesve italianë, dyshimet e para lidhen me probleme të mundshme të shëndetit mendor, ndonëse 21-vjeçari nuk figuron të ketë qenë më herët nën trajtim mjekësor. Gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet, ai nuk arriti të jepte një arsye për veprimin e ndërmarrë dhe deklaroi se nuk kishte asnjë mospajtim apo konflikt me të ëmën. Për këtë shkak, ndaj tij pritet të kryhet një ekzaminim i thelluar psikiatrik.

Tragjedia ka lënë të shokuar fqinjët dhe banorët e zonës, të cilët theksojnë se djali njihej si njeri i qetë dhe i rregullt që shkonte çdo ditë në punë, pa shfaqur sjellje problematike. Fjalë vlerësuese banorët kanë shprehur edhe për viktimën, ndërsa një biznesmen vendas ka nisur një nismë për mbledhje fondesh në ndihmë të familjes.