Sistemi shëndetësor i Kosovës ka shënuar zhvillime pozitive në aspektin e mbikëqyrjes statistikore të sëmundjeve gjatë periudhës së fundit, megjithatë vazhdon të dështojë në fusha kyçe që ndikojnë direkt te qytetarët, si sigurimi i barnave esenciale dhe digjitalizimi.
Sipas raportit të Komisionit Evropian, janë shënuar hapa para në parandalim dhe në krijimin e qendrave të resurseve shëndetësore në kujdesin parësor për menaxhimin e sëmundjeve kronike. Po ashtu, është vlerësuar harmonizimi i mbikëqyrjes për dhjetëra sëmundje ngjitëse sipas standardeve evropiane.
Nga ana tjetër, dokumenti evidenton shqetësime lidhur me rënien e shkallës së vaksinimit rutinë, veçanërisht të vaksinës MMR, si dhe mbulimin e ulët te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Po ashtu, pavarësisht rritjes së buxhetit, theksohet se barnat esenciale shpesh mungojnë, ndërsa blerjet nuk bëhen në mënyrë strategjike.
Kjo situatë ka rënduar drejtpërdrejt buxhetin e familjeve kosovare, pasi një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve për shëndetësi mbulohen nga vetë pacientët. Një tjetër ngecje e theksuar mbetet edhe moskompletimi dhe mosfunksionalizimi i plotë i Sistemit Informativ Shëndetësor.















