Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi. I dyshuari akuzohet për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas organeve të rendit, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës në hapësirat e Shërbimit Emergjent Primar të Qendrës së Mjekësisë Familjare në këtë qytet. I dyshuari, i cili ndodhej në gjendje të dehur, kishte shoqëruar babanë e tij për marrjen e ndihmës mjekësore.
Gjatë kohës që ekipi mjekësor po trajtonte pacientin, ai ka nisur të ushtrojë presion dhe ka krijuar tensione në dhomën e intervenimit. Për shkak të hapësirës së kufizuar dhe domosdoshmërisë për qetësi gjatë ndërhyrjes, personeli i ka kërkuar që të dalë jashtë.
Pasi ka refuzuar të largohet, i dyshuari ka goditur me grusht në fytyrë mjekun kujdestar. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej dy ditësh, ndërkohë që procedura e mëtejme ligjore do të vazhdojë në gjykatë.















