Një valë ndryshimesh strukturore pritet të përfshijë Policinë e Kosovës, ku afër 20 zyrtarë të lartë do të preken nga largimet, transferimet dhe emërimet e reja në pozita drejtuese. Ky proces përfshin disa nga strukturat më të rëndësishme të këtij institucioni të sigurisë.
Lëvizjet pritet të prekin nivelet kyçe, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, Departamentin e Hetimeve, Inteligjencën, Kundërterrorizmin, Burimet Njerëzore, Shërbimet Mbështetëse, si dhe drejtoritë rajonale.
Në mesin e zyrtarëve të lartë që pritet të përfshihen në këtë riorganizim janë figura me përvojë të gjatë, si Taibe Canolli-Brajshori, Agron Rukiqi, Luan Keka, Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci, Fatos Makolli, Gëzim Dibrani, Kamer Jonuzaj dhe Fatmir Bajrami.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme pritet të jetë emërimi i koloneles Taibe Canolli-Brajshori në pozitën e zëvendësdrejtores së përgjithshme të policisë. Ajo deri më tani ka udhëhequr Departamentin e Burimeve Njerëzore, ndërsa në vend të saj parashikohet të emërohet kolonel Agron Rukiqi, aktualisht drejtor i Policisë Rajonale në Gjilan.
Ndërkohë, drejtimi i Policisë Rajonale në Gjilan pritet t’i besohet Luan Kekës, i cili deri tani ka udhëhequr Drejtorinë e Kundërterrorizmit. Ndryshime të tjera paralajmërohen edhe në departamente të ndjeshme, përfshirë Departamentin e Inteligjencës dhe Analizës.













