Autoritetet hungareze kanë bërë publike emrat dhe të dhënat e rreth 60 mijë individëve që kanë bashkëpunuar me policinë sekrete gjatë periudhës së regjimit komunist. Kjo nismë ka për qëllim hedhjen dritë mbi një nga periudhat më të ndjeshme të historisë së vendit.
Nëpërmjet një platforme digjitale, qytetarët tashmë mund të gjejnë informacione që përfshijnë emrat e vërtetë të informatorëve, pseudonimet e tyre, datëlindjet dhe adresat. Dokumentet gjithashtu shpalosin arsyet që çuan në këtë bashkëpunim, duke përfshirë rastet kur personat ishin shtrënguar përmes kërcënimeve ose shantazheve të ndryshme nga autoritetet.
Kryeministri hungarez theksoi se ky hap synon të ndihmojë shoqërinë të përballet me të kaluarën dhe traumat e lëna pas nga sistemi komunist. Sipas tij, shumë familje do të përballen me të vërteta të vështira rreth të afërmve të tyre, por kjo mbetet një rrugë e pashmangshme për të mbyllur plagët e së kaluarës.
Data e publikimit u zgodh në mënyrë simbolike, duke përkuar me përvjetorin e ndërhyrjes së tankeve sovjetike në Budapest në vitin 1956 për të shuar revoltën popullore. Të dhënat historike tregojnë se shërbimet e fshehta kishin angazhuar një numër të madh bashkëpunëtorësh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1990.
Ndërkohë, nisma ka ngjallur edhe reagime e debate në opinionin publik. Disa kritikë paralajmërojnë rrezikun e pasojave të padrejta për shkak të dosjeve që mund të jenë të paplota, ndërsa një paketë e re dokumentesh lidhur me aktivitetin e agjentëve paralajmërohet të bëhet publike në muajin shkurt.












