GazetaGjilani

Ballina E enjte, 5 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Shendet

Raporti i BE-së: Qytetarët mbulojnë 40% të shpenzimeve shëndetësore

Sistemi shëndetësor në vend ka shënuar zhvillime pozitive në aspektin e mbikëqyrjes statistikore të sëmundjeve, por vazhdon të dështojë në sigurimin e barnave esenciale dhe mbrojtjen e buxhetit të pacientëve. Sipas raportit të Komisionit Evropian, ekziston një hendek i madh mes dokumenteve strategjike dhe situatës reale në spitale.

Në fushën e parandalimit, gjatë vitit 2025 janë krijuar 49 qendra të resurseve shëndetësore në kujdesin parësor për menaxhimin e sëmundjeve kronike si diabeti dhe hipertensioni. Po ashtu, është vlerësuar harmonizimi i mbikëqyrjes për 82 sëmundje ngjitëse sipas standardeve evropiane. Megjithatë, mbulesa me vaksinën rutinë MMR ka rënë nga 89 për qind në 82 për qind, ndërsa te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kjo shkallë mbetet nën 40 për qind.

Pavarësisht se buxheti për shëndetësi në vitin 2025 arriti në 358.8 milionë euro ose 3.9 për qind të BPV-së, një pjesë e mjeteve mbetën të pashpenzuara. Dokumenti vëren se barnat esenciale vazhdojnë të mungojnë rregullisht, ndërsa blerjet e produkteve mjekësore nuk bëhen në mënyrë të mjaftueshme e strategjike.

Si pasojë e këtyre mangësive, rreth 40 për qind e të gjitha shpenzimeve për shëndetësi mbulohen drejtpërdrejt nga xhepi i vetë qytetarëve. Njëkohësisht, Sistemi Informativ Shëndetësor mbetet i fragmentuar dhe jo plotësisht funksional, duke pamundësuar përcjelljen e historikut mjekësor të pacientëve në mënyrë elektronike.