Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën tregon qartë diferencën mes premtimeve të ekzekutivit për integrim evropian dhe realitetit në terren.
Sipas saj, dokumenti i Bashkimit Evropian evidenton mungesën e progresit në disa fusha kyçe, duke përfshirë funksionimin e sistemit të drejtësisë, menaxhimin financiar, mbrojtjen e mjedisit, bujqësinë dhe digjitalizimin, krahas rezultateve të kufizuara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngecjeve në shëndetësi.
Po ashtu, ajo ka theksuar se në raport përfshihen vërejtje lidhur me qasjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin, ndaj mediave dhe gazetarëve, duke kërkuar respektimin e standardeve evropiane dhe lirisë së shprehjes. Musliu-Shoshi ka vlerësuar se çdo vit i humbur nën këtë qeverisje përbën një shans të mangët për afrimin e vendit drejt strukturave evropiane.














