Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj ekzekutivit për mungesë përgjegjësie.
Gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo theksoi se dorëheqje morale dhe institucionale do të duhej të jepnin si koordinatore për dhunën në familje, ashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme.
Sipas deputetes së opozitës, rasti në fjalë dëshmon mungesën e ndjeshmërisë dhe të llogaridhënies nga ana e zyrtarëve qeveritarë për sigurinë e qytetarëve, duke shtuar se humbja e jetës së një gruaje në rrethana të tilla kërkon përgjegjësi të menjëhershme nga ana e drejtuesve të institucioneve të sigurisë.














