Një javë pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, është bërë publike një letër që ajo i kishte dërguar institucioneve të drejtësisë përpara se të humbte jetën.
Në këtë shkresë, e cila i adresohej gjyqtarit Migjen Kastrati, ajo kërkonte caktimin e një urdhri mbrojtës dhe trajtimin e çështjes së kujdestarisë për djalin e saj. Letra, e bërë publike nga Natyra Kuçi, përmban thirrje urgjente drejtuar sistemit të drejtësisë. “Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e datës 7 shtator 2026.
Publikimi i këtij dokumenti vjen në një periudhë kur ngjarja ka ngritur shqetësime dhe reagime të gjera publike lidhur me mënyrën se si autoritetet trajtojnë raportimet dhe ankesat për dhunë.
Lidhur me këtë krim, autoritetet kanë arrestuar ish-bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylaj, si dhe ish-kunatin e saj, Albert Sylaj. Ndaj të dy personave gjykata ka caktuar tashmë masën e paraburgimit prej një muaji, ndërkohë që vijojnë hetimet dhe pyetjet rreth rrethanave të ngjarjes.















