Një i ri në Ferizaj është identifikuar nga autoritetet policore pasi kishte qarkulluar nëpër zonë urbane me shpejtësi tej mase të palejuar. Ngjarja është zbardhur pasi vetë drejtuesi kishte shpërndarë pamjet e lëvizjes në rrjetet sociale.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, ku kufizimi i shpejtësisë është i caktuar në 40 kilometra në orë, ndërsa vetura e tipit BMW po lëvizte me 170 kilometra në orë. Pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera, është konstatuar se personi me inicialet R.T., i moshës 19 vjeç, nuk posedonte fare patentë shoferi.
I dyshuari ka pranuar se ka qenë ai prapa timonit gjatë regjistrimit të videos. Ndaj tij janë ndërmarrë masat e duhura ligjore dhe është iniciuar procedura kundërvajtëse në gjykatë. Autoritetet kanë përsëritur thirrjen për kujdes në trafik, duke kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe të shmangin drejtimin e automjeteve pa leje përkatëse.















