GazetaGjilani

Ballina E enjte, 5 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Teknologji

YouTube po përgatit projektin e ri social “Tamba”

Platforma më e madhe në botë për shpërndarjen e videove, YouTube, po zhvillon në fshehtësi një projekt eksperimental me emrin “Tamba”. Ky hap synon ta shndërrojë platformën në një rrjet të plotë social, duke e sjellë atë më pranë modeleve ekzistuese si Instagrami.

Gjurmët e këtij projekti janë konstatuar gjatë analizës së kodit programor të versionit më të ri të aplikacionit për sistemin operativ Android, përkatësisht në skedarët instalues të versionit 21.44.534. Aty janë gjetur një logo e veçantë grafike dhe një grup ikonash të dizajnuara në stil të lirë.

Sipas të dhënave nga kodi, shiriti i poshtëm i navigimit do të përfshijë shkurtore për faqen kryesore, kërkimin, krijimin e përmbajtjes, kamerën, kutinë e mesazheve, ngjitëset dhe mikrofonin për mesazhe zanore. Gjithashtu, përmenden ikona të tjera si një kurorë, një dry dhe kontrollues për lojëra, ndërsa platforma pritet të mbështesë edhe sistemin iOS.

Projekti sjell mundësi të reja komunikimi të drejtpërdrejtë, ku përdoruesit do të mund të ndiqen me njëri-tjetrin, të dërgojnë kërkesa, të hapin profile private dhe të shkëmbejnë mesazhe, fotografi e video në biseda individuale apo grupore. Për më tepër, do të ketë pëlqime në formë zemre, mundësi për t’u përgjigjur me mesazhe zanore a video të shkurtra, si dhe shikimin e videove të formatit Shorts brenda dritares së bisedave.

Për momentin, këto veçori po testohen brenda një mjedisi eksperimental nga një grup i kufizuar inxhinierësh. Përmes kësaj nisme, platforma synon t’i mbajë përdoruesit brenda ekosistemit të saj dhe të garojë drejtpërdrejt me rrjetet e tjera sociale në treg.