Komuna e Gjilanit është përfshirë nga një valë ngjarjesh tragjike gjatë një periudhe të shkurtër kohore, ku brenda njëzet e tri ditëve kanë humbur jetën pesë persona në rrethana të ndryshme.
Seria e ngjarjeve të rënda nisi më 9 tetor në fshatin Livoç i Ulët, ku u regjistrua një vrasje e dyfishtë me armë zjarri. Si pasojë e këtij incidenti jetën humbën një 27-vjeçare dhe vëllai i saj 31-vjeçar, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur. Për këtë rast, i dyshuari kryesor është dorëzuar në organet e rendit.
Vetëm dy ditë më vonë, më 11 tetor, një tjetër ngjarje kriminale tronditi fshatin Pogragjë. Një 29-vjeçar u vra me armë zjarri, ndërsa për këtë rast autoritetet kanë vënë në shënjestër të dyshuar babain e viktimës, i cili pas incidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Tragjeditë kanë vazhduar edhe në fillim të muajit nëntor. Mëngjesin e së dielës, më 1 nëntor, në fshatin Demiraj u gjetën pa shenja jete një 27-vjeçar dhe foshnja e tij. Autoritetet policore dhe prokuroria dolën në vendin e ngjarjes, ndërsa trupat e pajetë u dërguan për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes, me rastin që po trajtohet si vdekje e dyshimtë.















