Ekipi mbrojtës i drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berisha, ka reaguar përmes një demantimi publik ndaj shkrimeve të fundit në medie, duke hedhur poshtë pretendimet se ai kishte kërcënuar bashkëshorten e tij.
Sipas avokatëve, raportimet se Berisha i kishte thënë partneres së tij se do t’i ndodhte e njëjta gjë si në rastin e tronditshëm të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë janë të pavërteta dhe të sajuara plotësisht. Mbrojtja ka theksuar se komunikimi elektronik i përmendur në kallëzimin penal kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen tragjike në fjalë, duke u bërë thirrje mediave për korrigjim dhe kërkim falje.
Në njoftim theksohet gjithashtu se Berisha mohon në mënyrë kategorike çdo pretendim për ushtrim dhune fizike apo keqtrajtim ndaj bashkëshortes. Sipas avokatëve, në shkresat e lëndës bëhet e ditur se nuk ka pasur dhunë, ndërsa çifti ndodhet në procedurë shkurorëzimi të iniciuar nga vetë ai, pasi prej disa muajsh jetojnë të ndarë. Mosmarrëveshjet e tyre, sipas mbrojtjes, lidhen vetëm me çështje civile-familjare dhe përkujdesjen për dy vajzat e tyre të mitura.
Në fund, ekipi ligjor ka kundërshtuar masën e arrestit shtëpiak ndaj drejtorit, duke kërkuar rivlerësimin e saj përmes një shqyrtimi objektiv të provave dhe respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë.














