Ministria e Mjedisit ka përfunduar projektvendimin “Për bateritë dhe mbetjet e baterive”, i cili synon ta përshtatë plotësisht legjislacionin shqiptar me Rregulloren e BE-së 2023/1542.
Ky rregullim do të vendosë norma të reja për krejt fazat e jetës së baterive – nga projektimi, importi dhe futja në treg, deri te grumbullimi i diferencuar, trajtimi dhe riciklimi. Sipas tekstit, përfshihen pesë kategori kryesore: bateritë portative, bateritë SLI për motorë, bateritë industriale, ato për mjete të lehta transporti (LMT) dhe bateritë e automjeteve elektrike (EV).
Një element i ri është futja e mekanizmave teknologjikë, përmes kodimeve QR dhe një “pasaporte dixhitale” që do të sigurojë informacion mbi prodhimin dhe performancën e produktit. Përveç kësaj, prodhuesit do të kenë detyrimin të deklarojnë gjurmën e karbonit dhe të garantojnë përmbajtje minimale të materialeve të riciklueshme në bateritë e reja.
Projektvendimi bazohet në parimin e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit, që do të mbulojë krejt shpenzimet e rrjetit të grumbullimit dhe riciklimit, duke hequr barrën nga buxheti i shtetit. Për vitin 2026 parashikohet një sasi prej rreth 7,423 tonë bateri në tregun shqiptar, e cila pritet të kapërcejë 10,290 tonë në 2035. Për t’u përballuar me këtë volum, planifikohen rreth 5,000 pikë kombëtare grumbullimi për bateritë portative, me një investim fillestar prej 350,000 €.
Kostoja vjetore e funksionimit të sistemit do të rritet gradualisht nga afërsisht 700,000 € në 2027 në më shumë se 5.4 milionë € në 2036, në përputhje me objektivat e riciklimit. Zbatimi do të kryhet në mënyrë shkallëzuar nga institucionet ekzistuese, pa nevojë për krijimin e strukturave të reja administrative.
















