Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur të mbajë në paraburgim për një muaj Zikica Belosevic, 59 vjeç, dhe Gruica Belosevic, 56 vjeç, dy personat që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në lidhje me Masakrën e Padalishtit në komunën e Istogut.
Vendimi, i dhënë më 30 tetor 2026, vjen në përputhje me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar kërkesën, duke argumentuar se ekziston rrezik i qartë që të dy të pandehurët, nëse lirohen, mund të shmangin ndjekjen penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Gjykata ka theksuar gjithashtu se, për shkak të shtetësisë serbe të të dyve, rreziku për pengimin e zhvillimit normal të procesit penal është i lartë, duke e justifikuar kështu masën e paraburgimit.
Sinjali ka zbuluar më herët identitetin e të dyve, duke raportuar se në pronën e Zikica janë gjetur dokumente të ushtrisë serbe dhe fotografi nga lufta, ndërsa në rastin e Gruica-s nuk janë gjetur prova materiale. Të dy të arrestuarit janë dërguar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.















