Bashkëshortja e Gazmend Hoxhës ka dalë publikisht në mbështetje të tij, pas dorëheqjes nga posti i drejtorit të Policisë së Kosovës. Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se, sikur ta kishin lënë, ai do të kishte vazhduar të punonte me përgjegjësi dhe profesionalizëm sa herë të kishte nevojë.
Hoxha dorëzoi dorëheqjen të premten, pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga vëllai i ish-bashkëshortit të saj. Ministrat Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla nuk e kanë parë të arsyeshme të japin dorëheqje, ndërsa drejtori i Policisë ka kërkuar vetë të lirohet nga detyra.
Në postim, bashkëshortja i drejtohet me fjalët “Shoku im i jetës” dhe thotë se përgjegjësia nuk nënkupton gjithmonë largimin kur ndodh një tragjedi. Sipas saj, përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh, të përballesh me të vërtetën dhe të rindërtosh besimin.
Ajo shton se Hoxha është prej atyre që, po t’u jepej mundësia, do të përballeshin me përgjegjësi dhe profesionalizëm sa herë që të paraqitej nevoja. Sipas saj, ai ka qëndruar gjithmonë përballë sfidave të organizatës dhe të Atdheut, në luftë dhe pas saj, me maturi dhe vendosmëri.















