Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe për paraqitjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai e bëri këtë në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Sipas Kurtit, Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota dhe siguroi dy mandate parlamentare. Kjo është 1.233 vota më shumë se në vitin 2020 dhe rezultati më i mirë i shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.
Ai tha se shqiptarët janë pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi. Megjithatë, mes 9 listave të pakicave kombëtare u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet. Kurti e quajti këtë rezultat fryt të bashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, pavarësisht dallimeve, e vunë interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Ai falënderoi drejtuesit e tyre, kandidatët, aktivistët dhe qytetarët.
Për rezultatin e përgjithshëm në Serbi, Kurti tha se zgjedhjet kanë sjellë rikonfigurim të skenës politike. Lista Studentore doli e para, koalicioni i presidentit Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.
Sipas tij, tani dihet kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk dihet kush e ka fituar. Kurti shprehu shpresën se ky ndryshim politik do të shoqërohet me ndryshim pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Kurti foli edhe për nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën. Si hapa të domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje ai përmendi denazifikimin e diskursit politik, dekriminalizimin institucional dhe demokratizimin e brendshëm.















