Një hulumtim i publikuar nga revista British Medical Journal dhe e përditshmja Libération ka hedhur dritë mbi pasojat që mund të kenë ushqimet e industrializuara në shëndetin e njeriut. Studimi ka vënë në shënjestër të veçantë produktet e transformuara, të cilat përfshijnë artikuj me përmbajtje të lartë yndyrash, sheqernash dhe kripe të shtuar, por me pak fibra e vitamina.
Gjatë periudhës 2009-2017, ky vëzhgim u shtri te 105 mijë qytetarë francezë. Sipas të dhënave, produktet si buka industriale, ëmbëlsirat, drithërat e konservuara, pijet e gazuara dhe mishrat e përpunuar mund të rrisin me rreth 10 për qind rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kanceroze në përgjithësi, si dhe të kancerit të gjirit në veçanti.
Përqindjet e riskut të llogaritura variojnë nga 6 deri në 18 për qind për lloje të ndryshme të kancerit, ndërsa për atë të gjirit shkojnë nga 2 deri në 22 për qind. Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se këto gjetje mbeten ende një pistë hetimi dhe kërkojnë konfirmim përmes testimeve të mëtejshme në popullsi të tjera.















