GazetaGjilani

Ballina E mërkurë, 4 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Diaspora

Konsulli Berisha i dhuroi presidentit zviceran punim të grave të mbijetuara të luftës

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, është takuar në Bernë me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin.

Gjatë takimit, Berisha i ka dhuruar Parmelinit një punim artistik me domethënie të veçantë. Punimi është realizuar nga gratë që e kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për takimin ka njoftuar vetë konsulli, me një postim në rrjetet sociale. Aty ai ka shkruar se bëhej fjalë për një takim të shkurtër personal, që u zhvillua gjatë një pritjeje zyrtare në Bernë, dhe se ka qenë nder t’ia dhuronte këtë punim presidentit zviceran.

Sipas Berishës, punimi është përgatitur në kuadër të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave. Ai pasqyron historinë, qëndresën dhe dinjitetin e grave që kaluan përmes dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Me këtë gjest simbolik, në takimin me presidentin zviceran është përcjellë mesazhi për kujtesën dhe dinjitetin e të mbijetuarave. Po ashtu është theksuar rëndësia e njohjes së historisë së tyre.