Policia e Kosovës ka marrë masa ndaj një shoferi 19-vjeçar në Shtime, i cili është kapur duke lëvizur me 193 kilometra në orë në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 80 km/h.
Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Tahir Sinani”, në drejtim të fshatit Gjurkoc. I riu me iniciale D.Q. drejtonte një automjet të markës BMW me targa vendore dhe e kishte kaluar ndjeshëm kufirin e lejuar të shpejtësisë.
Shoferi nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve policorë për t’u ndalur, por më vonë u identifikua përmes kamerave të sigurisë.
Për tejkalimin e shpejtësisë, atij i janë shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.
Për mosbindje ndaj urdhrit të policisë, ai është gjobitur edhe me 150 euro dhe një pikë negative. Në total, gjobat arrijnë në 650 euro.
Policia Rajonale në Ferizaj u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që t’i respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe urdhrat e policëve. Në apelin e saj thuhet se shpejtësia e tepërt rrezikon drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në trafik.
















