Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e organizatës HANDIKOS, ku është diskutuar rreth sfidave me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara në vend.
Gjatë takimit, kreu i ekzekutivit theksoi se dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë pjesë përbërëse e çdo vendimmarrjeje institucionale, duke vënë theksin te nevoja për mbështetje konkrete.
Vëmendje e veçantë iu kushtua ligjit gjithëpërfshirës, i cili synon t’i adresojë në mënyrë të plotë kërkesat e kësaj kategorie. Sipas Kurtit, ky proces duhet të ecë përpara në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat përkatëse që i njohin nga afër sfidat e tyre.
Qeveria, sipas tij, mbetet e përkushtuar në përmirësimin e mirëqenies dhe përmbushjen e nevojave të personave me aftësi të kufizuara.















