GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Lajme

Skenderaj: 55-vjeçari vdes teksa rregullonte një çezmë uji, hetohen rrethanat

Një burrë 55-vjeçar ka vdekur në Skenderaj në rrethana që ende nuk janë sqaruar. Sipas dëshmitarëve, ai po rregullonte një çezmë uji në një shtëpi private.

Viktima është identifikuar si Nexhmedin Murtezaj. Rasti u raportua mbrëmë të 28 tetorit, rreth orës 22:40.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj kërkoi ndërhyrjen e Policisë, pasi një person ishte sjellë nga ekipi mjekësor me autoambulancë, pa shenja jete. Mjeku kujdestar e konstatoi vdekjen në orën 23:20.

Hetuesit intervistuan dy dëshmitarë. Ata deklaruan se i ndjeri po rregullonte një çezmë uji në shtëpinë private.

Shkaku i vdekjes mbetet i paqartë. Në vendin e ngjarjes, përveç hetuesve policorë, është angazhuar edhe një ekspert i elektricitetit, për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse vdekja ka lidhje me energjinë elektrike apo me ndonjë shkak tjetër.

Me vendim të organeve kompetente, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rreth orës 02:30 e mori ekipi përkatës.

Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”. Shkaku i saktë pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjekoligjore dhe veprimeve të tjera hetimore.