Protesta për drejtësi dhe përgjegjësi në rastin e Arlinda Zekajt do të mbahet të premten edhe në Pejë, pas atyre që janë organizuar në Prishtinë.
Tubimi është thirrur për orën 12:00 në sheshin “Skënderbe”. Pjesëmarrësit pritet të kërkojnë drejtësi për Zekajn, e cila u vra nga ish-kunati i saj, pas problemeve me ish-bashkëshortin.
Protestat në Prishtinë janë shoqëruar me kërkesa për llogaridhënie. Përveç suspendimeve që janë bërë, qytetarët dhe aktivistet kanë kërkuar dorëheqjen dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës. Mes kërkesave është largimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Zekaj, 49-vjeçare nga Vitomirica e Pejës, dyshohet se u vra më 25 tetor nga kunati i saj, ndërsa bashkëshorti i saj ishte në paraburgim për kanosje ndaj saj. Vrasja ndodhi pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të saj për mbrojtje dhe ka shkaktuar zemërim të madh në vend.
Autoritetet kanë pezulluar 13 zyrtarë që kishin trajtuar rastin e saj për dhunë në familje.
Kuvendi i Kosovës e miratoi të enjten komisionin hetimor me 11 anëtarë, me 90 vota pro, pa asnjë kundër dhe pa abstenime. Komisioni ka për detyrë të zbardhë lëshimet e dyshuara zinxhirore të institucioneve në këtë rast. Raportin përfundimtar me gjetjet duhet ta paraqesë në Kuvend brenda gjashtë muajve nga themelimi.
Komisioni buron nga një rezolutë për hetimin e vrasjes së Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, të cilën Kuvendi e miratoi të hënën.















