Pas një kohe të gjatë me mungesë të reshjeve atmosferike, situata meteorologjike në vend pritet të ndryshojë ndjeshëm gjatë ditëve në vijim. Sipas parashikimeve, një ciklon i ri që pritet të formohet në jug të Italisë do të zhvendoset drejt rajonit, duke sjellë reshje më intensive shiu.
Ekspertët e meteorologjisë bëjnë me dije se sistemi do të fuqizohet në fillim të javës së ardhshme, duke përfshirë të gjithë territorin. Gjatë fundjavës, moti do të karakterizohet nga vranësira dhe reshje të herëpashershme lokale, ndërsa të dielën parashikohet një rritje e lehtë e intensitetit.
Reshjet më të dendura dhe të fuqizuara pritet të regjistrohen të hënën në mbrëmje dhe përgjatë mëngjesit të së martës. Megjithatë, autoritetet e meteorologjisë sqarojnë se sasia përfundimtare e ujit dhe koha e saktë e reshjeve mbeten të lidhura ngushtë me trajektoren dhe pozicionimin e këtij cikloni gjatë lëvizjes së tij.















