Barcelona është rikthyer te fitoret në La Liga përmes një paraqitjeje dominante, duke mposhtur Deportivo Alavésin me shifrat e thella 6:1 në stadiumin “Camp Nou”. Ekipi i drejtuar nga Hansi Flick tregoi efikasitet të lartë që në fraksionin e parë të lojës, duke krijuar epërsi bindëse dhe duke kontrolluar rrjedhën e takimit nga minutat e para.
Festivali i golave nisi në minutën e tetë, kur Raphinha zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të ndërtuar mirë ku asistoi Fermín López. Përkundër një mundësie të shpejtë nga mysafirët për të barazuar, të cilën Abde Rebbach e dërgoi lart mbi portë, vendasit vazhduan presionin. Në minutën e 23-të, Lamine Yamal dhuroi një pasim të saktë për Fermín López, i cili realizoi për 2:0 me një goditje të fuqishme.
Para mbylljes së pjesës së parë, katalanasit shtuan edhe dy gola të tjerë. Fillimisht, Raphinha shënoi golin e tij të dytë personal në minutën e 41-të pas një asistimi të gjatë nga Fermín, ndërsa në shtesat e periodës së parë, Lamine Yamal realizoi një gol spektakolar nga afërsia e zonës për ta çuar rezultatin në 4:0.
Edhe pas pushimit, vrulli i vendasve nuk u ndal. Edhe pse pati raste të humbura nga afër, Lamine Yamal kompletoi paraqitjen e tij të shkëlqyer në minutën e 64-t, duke e kaluar topin mbi portierin kundërshtar për ta thelluar edhe më shumë epërsinë e skuadrës së tij në këtë përballje kampionale.
















