GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Shendet

AUV ndalon importin e misrit dhe ushqimin për viça pas pranisë së aflatoksinës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë masa pas konstatimit të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar në produkte të një kompanie, duke bërë të mundur refuzimin e importit, ndalimin e shitjes dhe tërheqjen e artikujve nga tregu.

Gjatë kontrollit në pikën kufitare për një sasi prej mbi 25 mijë kilogramë misër merkantil, analizat laboratorike gjetën prani të aflatoksinës B1 në nivelin 30 µg/kg, ndërsa testimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës konfirmuan vlerën totale prej 47 µg/kg, duke tejkaluar ndjeshëm kufirin referues prej 10 µg/kg. Inspektorati Fitosanitar vendosi kthimin e menjëhershëm të kësaj ngarkese në vendin e origjinës.

Po ashtu, gjatë inspektimeve të mëvonshme, prezencë e aflatoksinës B1 mbi normat e lejuara u zbulua edhe në produktin e destinuar për ushqimin e viçave deri në 300 kilogramë. Inspektorët kompetentë urdhëruan ndalimin e shitjes dhe tërheqjen e këtij produkti nga qarkullimi.

Ekspertët theksojnë se aflatoksina B1 është një substancë e prodhuar nga myqet, e cila mund të dëmtojë mëlçinë dhe të rrisë rrezikun e kancerit nga ekspozimi afatgjatë. Tek kafshët qumështore, ky element mund të kalojë te qumështi në formën e aflatoksinës M1, duke rrezikuar sigurinë e konsumatorëve.