Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’i caktojë masën e arrestit shtëpiak drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha. Ai ishte ndaluar nga organet e rendit gjatë fundjavës së kaluar, nën dyshimet për përfshirje në dhunë në familje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, mirëpo gjyqtarja e procedurës paraprake e ka refuzuar këtë kërkesë si të pabazuar. Në vendim u caktua masa e arrestit shtëpiak prej një muaji.
Sipas vendimit të gjykatës, mbikëqyrja e zbatimit të kësaj mase i është besuar Stacionit Policor në Vushtrri, i cili obligohet të njoftojë menjëherë autoritetet në rast të ndonjë shkeljeje nga i pandehuri.
Gjykata ka vlerësuar se kjo masë mjafton për të garantuar zhvillimin e rregullt të procedurës penale, për të shmangur rrezikun e përsëritjes së veprës dhe për të mbrojtur palën e dëmtuar. Për më tepër, u mor parasysh fakti se palët nuk bashkëjetojnë më dhe se masa po zbatohet në një pronë ku nuk banon viktima, duke evituar çdo mundësi kontakti të drejtpërdrejtë. Palët e pakënaqura gëzojnë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.














