Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka mbajtur një diskutim me temën kushtuar sfidave dhe prioritetit të sistemit arsimor parauniversitar në vend, ku u shqyrtuan problemet kryesore me të cilat përballet ky sektor.
Kryetari i këtij komisioni, Enver Hoxhaj, vuri në dukje se deri më tani ka munguar një debat i mirëfilltë rreth strategjisë së dikasterit të arsimit. Ai përmendi si çështje kyçe vlerësimin e nxënësve, rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, furnizimin me tekste shkollore, si dhe lidhjen e ngushtë mes shkollave dhe tregut të punës. Sipas tij, suksesi në klasa varet kryesisht nga përgatitja dhe puna e mësimdhënësve.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, theksoi se edukimi në fëmijërinë e hershme do të jetë një nga katër shtyllat kryesore të strategjisë së re. Ai sqaroi se kjo fazë është e rëndësishme për zhvillimin socio-emocional të fëmijëve dhe për rritjen e cilësisë së përgjithshme në shkolla, ndërsa përmendi zgjerimin e rrjetit të çerdheve publike si një nga drejtimet e ministrisë.
















