Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dorëzuar dorëheqjen e tij më 30 tetor, në një letër të adresuar kryeministrit.
Në dokument, Hoxha shpjegon se vendimi është rezultat i një reflektimi të thellë, i cili përfshinte edhe ngjarjen tragjike të vrasjes së Arlindës Zekaj në Vitomiricë. Ai thekson se dhuna në familje mbetet një fenomen alarmues dhe se, përveç përpjekjeve të policisë, është e domosdoshme një qasje më e koordinuar ndërmjet institucioneve përkatëse.
Hoxha përmend se, për të ruajtur standardet e ligjshmërisë, profesionalizmin dhe integritetin e institucionit, ndjenja e përgjegjësisë morale e ka shtyrë të veprojë përtej interesit personal dhe të vendosë interesin e shtetit përpara gjithçkaje tjetër.
Gjatë mandatit të tij, Policia e Kosovës mori pjesë në operacione në veri të vendit, në Zveçan dhe Banjskë, si dhe në hetimin e sulmit ndaj kanalit të Ibar‑Lepencit.















