Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me rastin e një viti nga njohja e pavarësisë së Kosovës nga Siria. Ajo ka theksuar se përpjekjet për njohje të reja ndërkombëtare duhet të vazhdojnë.
Në një postim në Facebook, Osmani ka kujtuar se njohja nga Siria ishte një nga katër njohjet që Kosova i arriti gjatë vitit paraprak.
Sipas saj, pas një pune të gjatë u arrit që dinamika e njohjeve të kthehej në favor të Kosovës. Njëkohësisht, vendi fitoi besimin e aleatëve si partner serioz.
Osmani ka potencuar se përpjekjet për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për rritjen e numrit të njohjeve nuk duhet të ndalen.
“Kosovës i duhet një rikthim urgjent në tryezat ku merren vendimet, një politikë e jashtme e orientuar drejt rezultateve konkrete dhe forcimi i partneriteteve strategjike me aleatët tanë”, ka shkruar ajo.















