Në Durrës është vënë në pranga një 38-vjeçar, i cili akuzohet për rrahjen për vdekje të bashkëshortes së tij rreth dy vite e gjysmë më parë.
I arrestuari është shtetasi Fatjon Haxhiu, banues në Manzë. Ndaj tij, Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg më 31 mars 2022, nën akuzën për veprën penale të vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.
Sipas të dhënave të policisë, ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 18 mars 2022. I dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, e cila nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë dhjetë ditë më pas.
Kapja e të dyshuarit u bë e mundur pasi ai u deportua nga shteti i Greqisë. Pas prangosjes, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.















