Një burrë dyshohet se ka hedhur gurë, drunj dhe sende të tjera nga shtëpia e tij në fshatin Berevc të Shtërpcës. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, ai ka shtyrë një zyrtare policore, e cila ka rënë dhe është lënduar.
Bëhet fjalë për Mirko Popovic, rreth 46 vjeç. Ngjarja ka ndodhur të premten, më 30 tetor.
Policia ka marrë informatën rreth orës 10:48, se Popovic po hidhte gurë, copa druri dhe sende të tjera në drejtim të personave që ndodheshin pranë shtëpisë së tij. Në vend ishin edhe punonjës socialë dhe inspektorë komunalë, ndërsa për shkak të situatës është kërkuar ndërhyrja e Policisë.
Zyrtarët policorë kanë tentuar ta marrin të dyshuarin nën kontroll, por situata është përshkallëzuar. Teksa ka tentuar të largohej, Popovic dyshohet se ka shtyrë një policeje, e cila ka rënë dhe është lënduar.
Zyrtarja është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë. Aty janë konstatuar lëndime të lehta trupore dhe asaj i është lëshuar raport mjekësor.
I dyshuari është arrestuar rreth orës 16:20, ndërsa në rast janë angazhuar edhe hetuesit rajonalë. Pas shqyrtimit të rrethanave, organet kompetente e kanë ndryshuar cilësimin juridik të rastit nga “Sulm ndaj personit zyrtar” në “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Ndaj Popovicit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Rasti mbetet nën hetim, ndërsa përgjegjësia eventuale penale e të dyshuarit do të përcaktohet gjatë procedurës.















