GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Lajme

Kurti: E dimë kush e humbi pushtetin në Serbi, por jo kush e fitoi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, duke i cilësuar ato si një rikonfigurim të skenës politike të vendit fqinj.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, zgjedhjet e fundit treguan se koalicioni udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit, duke përmbyllur një cikël politik për trashëgimtarët e figurave të së kaluarës. Ai shtoi se aktualisht dihet qartë se kush e ka humbur pushtetin në Beograd, por mbetet e paqartë se kush e ka fituar atë.

Në këtë kontekst, Kurti shfaqi shpresën se ky ndryshim do të pasqyrohet edhe përmes një qasjeje më konstruktive nga autoritetet serbe ndaj Republikës së Kosovës dhe popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë.

Gjatë fjalimit, ai vuri theksin edhe te rezultati i arritur nga Koalicioni Shqiptar në këto zgjedhje, i cili siguroi 27.670 vota dhe dy mandate në parlament. Kurti e cilësoi këtë si arritjen më të lartë të shqiptarëve atje që nga viti 2000, duke ia atribuar suksesin bashkimit të subjekteve politike dhe vënies së interesit të përgjithshëm para atij partiak.