Ka filluar mbledhja e 64-t e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Në hapje të saj ka folur shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.
Ajo tha se mbledhja po mbahet në një moment të rëndësishëm politik, pasi është përfunduar procesi i konstituimit të institucioneve të Kosovës. Sipas Nagavcit, me sukses janë konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa është zgjedhur edhe presidentja.
Megjithatë, ajo theksoi se vendi vazhdon të përballet me sfida serioze. Si shembull përmendi vrasjen e Arlinda Zekajt, të cilën e quajti rast tragjik dhe krim që kërkon veprime urgjente e serioze institucionale.
Nagavci kërkoi angazhim institucional për adresimin e çdo veprimi apo mosveprimi. Ajo bëri thirrje edhe për angazhim të gjithë shoqërisë, deri në ndryshimin e plotë të kësaj gjendjeje.















