Gjashtë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, 49 vjeç, institucionet po përballen me kërkesa për përgjegjësi. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kanë thënë se nuk do të japin dorëheqje, edhe pse këtë e kërkojnë protestuesit.
Zekaj u vra natën e 25 tetorit. Si i dyshuar po konsiderohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e ka goditur me sëpatë.
Rasti ka tronditur opinionin, pasi është bërë e ditur se ajo kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet, por nuk e kishte marrë. Tri ditë para vrasjes ajo kishte kërkuar veprim urgjent, duke u ankuar për dështime në trajtimin e rasteve të saj, mes tyre edhe në zbatimin e një vendimi gjyqësor për përdorimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.
Më 25 tetor, disa orë para vrasjes, ajo e kishte raportuar sërish dhunën në familje. Ish-bashkëshorti u arrestua dhe u ndalua 48 orë. Zekaj u kthye në shtëpinë e saj në Vitomiricë, e shoqëruar nga policia, dhe rreth orës 21:00 dyshohet se u vra. Një ditë më parë, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit për kanosje në marrëdhënie familjare.
Debat ka shkaktuar edhe një audioincizim i publikuar në media. Në të, togeri Faruk Muqolli i thotë Zekajt se është lodhur nga ardhjet e shpeshta në stacionin policor dhe se obligimi i Policisë është vetëm përcjellja e saj në shtëpi.
Në një konferencë për media të premten, Sveçla dhe Gërvalla pranuan se hallkat e sistemit të sigurisë dhe të drejtësisë kanë dështuar. Gërvalla tha se dorëheqja nuk do të ndihmonte në identifikimin më të thellë të përgjegjësive dhe se viktimat e dhunës në familje e kanë aleatin më të fortë te koordinatorja kombëtare. Sveçla tha se ka dhënë dorëheqje para 10 vjetësh nga posti i drejtorit dhe se tani nuk e sheh dorëheqjen si kontribut për fuqizimin e grave.















