Progresi në dialog mbetet një kusht thelbësor për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, ndërsa ngecja në këtë proces do të shoqërohet me pasoja të rënda politike dhe ekonomike. Këto vlerësime përfshihen në draftraportet vjetore të Komisionit Evropian, të cilat pritet të bëhen publike më 4 nëntor.
Sipas dokumentit, Serbia ka vepruar në kundërshtim me detyrimet e saj ndërkombëtare, duke vazhduar përpjekjet e lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës dhe në Interpol. Po ashtu, ajo kritikohet ashpër për mungesë të hapave konkretë për të siguruar llogaridhënie lidhur me ngjarjet e armatosura në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Në anën tjetër, situata në veri të vendit vlerësohet si e qetë, por ende e brishtë. Komisioni Evropian i adreson vërejtje Kosovës për veprime të përsëritura që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, duke përfshirë ndërhyrjet policore ndaj strukturave që mbështeten nga Serbia. Drafti shton se nuk është shënuar ndonjë lëvizje para drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke bërë thirrje që ky proces të nisë në përputhje me detyrimet e marra.
Lidhur me statusin e strukturave paralele, Brukseli thekson se çështja duhet të zgjidhet përmes kornizës së marrëveshjeve të dialogut dhe legjislacionit vendor, pa ndërmarrë hapa të pakoordinuar. Sa i përket urës mbi lumin Ibër, qasja e BE-së është se ajo duhet të hapet, por përmes një koordinimi më të mirë mes pushtetit lokal dhe atij qendror. Raporti gjithashtu vëren se Kosova nuk ka arritur rezultate të dukshme në fushat kyçe, ndërsa puna e institucioneve vazhdon të ngadalësohet nga përçarjet politike.















