Gjatë një kontrolli të rregullt në fshatin Gazivod të Zubin Potokut, Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet dhe ka sekuestruar katër armë zjarri, ndërsa ka shoqëruar në stacion dy persona.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, rreth orës 16:15, kur autoritetet kanë ndalur një veturë me targa vendore. Mjeti drejtohej nga një drejtues i lindur më 1993, ndërsa në cilësinë e pasagjerit ndodhej një 53-vjeçar.
Gjatë procedurës së kontrollit, drejtuesi i mjetit ka pranuar se posedon armë, të cilat sipas dëshmisë së tij i kishte gjetur brenda një thesi afër vendndodhjes ku ishte ndaluar vetura. Gjatë verifikimit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë të tipit AK-47 dhe tri armë të tjera të modelit M-48.
Të dy personat janë ndaluar fillimisht dhe rasti është referuar te Prokurori i Shtetit. Me urdhër të organit të akuzës, autoritetet kanë kryer kontroll edhe në vendbanimet e të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut, mirëpo nuk është gjetur ndonjë objekt i ndaluar me ligj.
Pas përfundimit të intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre ka nisur hetimi për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast se vërejnë armë apo mjete të tjera të dyshimta, të shmangin çdo kontakt fizik me to dhe të njoftojnë menjëherë shërbimin emergjent policor.















