Televizioni publik i Serbisë, RTS, ka kërkuar falje para shikuesve në nisje të edicionit qendror të lajmeve të së enjtes në mbrëmje. Ai ka pranuar se në periudhën e fundit nuk e ka përmbushur siç duhet misionin e tij.
Mesazhin e lexoi prezantuesi në emër të redaksisë së re të lajmeve. “Ky është hapi i parë drejt rimëkëmbjes së RTS-së dhe një masë e parë kërkimfaljeje për gjithçka që është lënë jashtë në periudhën e kaluar. Na pret shumë punë në përmbajtjen programore, gjithmonë në interes të publikut. Duam ta rikthejmë besimin tuaj”, thuhej aty.
Kërkimfalja pasoi vendimin e Borivoje Uskoviqit, ushtrues i detyrës së redaktorit të Programit Informativ, për të shkarkuar tetë redaktorë të televizionit.
Këto ndryshime vijnë pas dorëheqjes së drejtoreshës së përgjithshme, Manja Grçiq, më 28 tetor. Letra e saj e dorëheqjes u lexua një ditë më vonë, gjatë edicionit të dytë të lajmeve.
Zhvillimet te RTS ndodhin në një kohë ndryshimesh në skenën mediatike dhe politike të Serbisë. RTS dhe disa televizione të tjera kanë qenë prej kohësh nën kritika se raportojnë në mënyrë të njëanshme dhe në favor të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.















