GazetaGjilani

Ballina E hënë, 2 nëntor 2026 Na ndiqni në Facebook

Kronikë

Vazhdojnë protestat në Prishtinë për vrasjen e Arlinda Zekajt

Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sërish në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, në kuadër të ditës së katërt të protestave të organizuara nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”. Këto tubime vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.

Organizatorët dhe protestuesit kanë përsëritur thirrjet e tyre drejt institucioneve shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe dënime me burg për drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe të Qendrës për Punë Sociale, përfshirë zyrtarë të lartë prokurorialë, gjyqësorë e vendorë që sipas tyre kanë dështuar në detyrë.

Po ashtu, në listën e kërkesave janë përfshirë edhe dorëheqjet dhe shkarkimet në nivelin politik e komunal, ndërsa vrasja e grave kërkohet të trajtohet si një emergjencë kombëtare që kërkon mobilizim të menjëhershëm shtetëror.

Pjesë e kërkesave të shpalosura gjatë kësaj proteste janë edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, zbatimi i një procesi vetingu të pavarur në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimi i së drejtës për vetëmbrojtje për gratë që përballen me rrezik për jetën.