Qyteti i Gjirokastrës është bërë pjesë e një nisme kulturore dhe historike, duke mirëpritur ekspozitën dyditore të Muzeut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Kjo ngjarje u jep qytetarëve dhe vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me objekte dhe armë relike që mbartin dëshmi të rëndësishme të së kaluarës.
Sipas drejtorit të këtij muzeu, Niko Kotherja, ekspozita e lëvizshme synon të udhëtojë në shumë qytete të vendit për të shpalosur rrugëtimin e uniformës ushtarake dhe periudhat historike para krijimit të një ushtrie të organizuar shtetërore, kur shqiptarët vepronin në formacione luftarake për liri.
Në këtë ngjarje janë shfaqur armë të përdorura në ngjarje të shënuara historike, përfshirë mitralozin gjerman MG42 dhe pushkën K98 nga koha e Luftës së Dytë Botërore, si dhe pajisje të prodhuara në Bashkimin Sovjetik nga periudha kur vendi furnizohej me armatime nga ky shtet.
















