Një sulm i gjerë me dronë ka goditur një zonë industriale në rajonin e Nizhny Novgorodit, ndërsa autoritetet lokale konfirmojnë se shënjestër mund të ketë qenë një nga rafineritë më të mëdha të naftës në vend, ajo në Kstovo.
Guvernatori rajonal, Gleb Nikitin, njoftoi përmes rrjeteve sociale se objekti industrial në këtë distrikt ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Sipas tij, gjatë operacionit janë shkatërruar mbi 100 dronë, ndërsa ekipet e emergjencës kanë dalë menjëherë në terren. Bazuar në të dhënat e para, nuk raportohet për persona të lënduar.
Nikitin paralajmëroi gjithashtu për mundësinë e ndërprerjeve të përkohshme të energjisë elektrike dhe kufizimeve në furnizimin me ngrohje e ujë të ngrohtë në disa zona, deri në sanimin e plotë të dëmeve. Ndërkohë, burime të ndryshme nga kanalet e lajmeve bënë të ditur se cak i sulmit ishte rafineria “Lukoil-Nizhegorodnefteorgsintez”, e cila merret me prodhimin e karburanteve për aviacion dhe naftës dizel.
Ky incident pason një tjetër ngjarje të ngjashme në një rafineri në rajonin e Samarës, ku u regjistrua një zjarr i madh si pasojë e një sulmi të ngjashëm. Gjatë këtij viti, Ukraina ka intensifikuar operacionet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, me qëllim dobësimin e sektorit ekonomik dhe kufizimin e fondeve për luftë.
Në anën tjetër, pas sulmeve të fundit ruse në infrastrukturën e Ukrainës, dhjetëra mijëra familje në rajone të ndryshme kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, pas goditjeve ndaj centraleve dhe nënstacioneve elektrike në Kiev dhe Dnipro.















