Protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt kanë hyrë në ditën e gjashtë radhazi në kryeqytet, ku qytetarët dhe aktivistët po kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie nga institucionet për këtë ngjarje tragjike.
Tubimi është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe është caktuar të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Organizatorët kanë bërë thirrje për bashkim qytetar, duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre për mbrojtjen e grave dhe zbardhjen e plotë të rasteve të dhunës.
Ndër kërkesat kryesore të ngritura nga protestuesit është trajtimi i femicidit si urgjencë kombëtare, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Po ashtu, kërkohet hetim penal për zyrtarët e dyshuar për neglizhencë, si dhe përgjegjësi nga strukturat e rendit, drejtësisë dhe Qendra për Punë Sociale.
Pjesë e kërkesave janë edhe sigurimi i strehimit social për gratë e mbijetuara të dhunës në familje dhe ngritja e mekanizmave më efektivë mbrojtës. Tubime dhe orë protestuese për këtë rast janë zhvilluar më parë edhe në qytete të tjera, si Peja, Mitrovica, Ferizaj dhe Istogu.















