Kosova ka humbur rreth 43.8 milionë euro nga fondet e planit të rritjes të Bashkimit Evropian. Ky dëm financiar ka ndodhur për shkak se vendi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga trembëdhjetë hapat e reformave që kishin afat deri në muajin qershor të këtij viti, si pasojë e bllokadës politike dhe shpërndarjes së kuvendit.
Këtë e ka bërë të ditur kryenegociatori i vendit për dialogun me BE-në dhe koordinatori kombëtar për këtë plan, Jeton Zulfaj, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Integrim Evropian. Sipas tij, nga 13 hapat e paraparë për periudhën shtesë deri në qershor të vitit 2026, autoritetet kanë arritur të zbatojnë vetëm shtatë prej tyre.
Zulfaj ka shtuar se e gjithë vlera e planit të rritjes për Kosovën llogaritet në 882.6 milionë euro, ku pjesa më e madhe përbëhet nga kredi të ndërlidhura me 111 hapa reformash që duhet të finalizohen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm. Ai ka theksuar se reformat e mbetura janë rikthyer në procedurë, duke përfshirë ligjet për energjinë, falimentimin dhe paketën për drejtësi.
















